Trendi i shitjeve online po zvillohet me një dinamike të jashtëzakonshme dhe çdo ditë e më shumë po bëhet atraktiv edhe për vendin tonë. Të gjithë flasin për eksperiencën në blerjen online të produkteve të ndryshme. Me fjalë të tjera, është bërë pjesë e stilit të jetës.

Për të dëshmuar këtë, i kam përzgjedhur disa statistika të blerjeve online në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke marrë parasysh që trendët zhvillimorë në këtë vend reflektohen dhe ndikojnë në të gjithë globin:

  • 51 për qind të amerikanëve preferojnë blerjet online;
  • 67 për qind prej tyre janë të moshës mesatare 35-55 vjeç;
  • 56 për qind e njerëzve që i takojnë moshës mesatare e preferojnë më tepër të blejnë online sesa në mënyrë fizike;
  • Mosha mesatare (30-55 vjeç) i kalojnë gjashtë orë në javë duke blerë online. Ata që janë mbi moshën 60 vjeçare i kalojnë katër ore në javë duke blerë online. Ndërsa, mosha e re kalon 2.5 orë në javë duke blerë online;
  • Prindërit harxhojnë në blerje online me tepër në krahasim me ata që nuk janë prindër;
  • Gati gjysma e blerësve online (49 për qind) janë deklaruar që nuk mund të jetonin pa blerje të këtij lloji;

 

Për ndërtim të një shitoreje online, puna kurrë nuk ka qenë më e lehtë se tani. Kjo është mënyra dhe rruga në të cilën duhet kaluar për të ndërtuar një shitore tillë:

• Vendosni se çka do të shisni;

• Përzgjidhni shopping-kartën;

• Përzgjidhni serverin ne re-cloud;

• Përzgjidhni një platformë;

• Blini një “Theme” me dizajn për industrinë në të cilën do të punoni dhe me pak adaptime do ta personalizoni të duket unike;

• Filloni të ndërtoni dyqanin e juaj – fusni produktet;

• Krijoni lidhjen e pagesave online me ndonjërën prej bankave prezente;

• Bëni marrëveshje me postën e shpejt për dërgesën e mallit;

• Reklamoni shitoren tuaj – fokusohuni në mediat online dhe në rrjetet sociale;

• Mirëmbajeni ueb-faqen tuaj;

 

Edhe pse është lehtë të ndërtohet një shitore online, mbajtja dhe ngritja e një biznesi online është punë e vështirë – madje edhe për ekspertët me të njohur të e -commercit.

Shitësit online janë duke u munduar të kapitalizojnë kanalet e tyre të shitjes. Sekreti i suksesit nuk është vetëm të vendosen produktet, por të pritet se si po zhvillohet shitja. Dyqanet më të suksesshme i japin rëndësi angazhimeve të tyre në strategji, për të targetuar blerësit – si online ashtu edhe offline.

Numri i konsumatorëve do të rritet bashkë me kërkesat e tyre. Jo vetëm se çka duan të blejnë është e rëndësishme, por edhe eksperienca e tyre gjatë blerjes dhe kënaqësia gjatë kërkimit të produkteve. Po ashtu, janë të rëndësishme pritjet rreth shërbimit në raport me klientin i cili duhet të jepet gjatë gjithë kohës – para, përgjatë dhe pas porosisë.

Nëse duam të ndërtojmë një brend online, në botën e e-commercit, duhet t’i përcjellim trendët globalë dhe të konsiderojmë implementimin dhe përshtatjen e tyre në tregun lokal, në mënyrë më të mirë e më të shpejt të mundshme.

Duhet pasur kujdes në përmbajtjen që e mban konsumatorin të angazhuar dhe të lidhur për shitoren online. Nuk mjafton të kemi një pamje vizuale interesante të ueb-faqes dhe me produkte interesante. Në tregun e sotëm duhet bërë që brendet të dallohen nëpërmjet përmbajtjes se saj.

Shitorja online duhet të prezantojë një përmbajtje të re dhe unike – imponuese – për të tërhequr vëmendjen e konsumatorit. Kjo ndihmon në angazhim të klientit në shitoren online dhe ndërton një lidhje emocionale me brendin – në periudha afatgjate.

Targetimi efektiv i audiencës, e cila është e gatshme për të blerë – sido qe të jetë – kërkon të dhëna dhe statistika nga konsumatorët tuaj. Firmat e vogla dhe ato mesatare, kanë hapësirë të vogël dhe resurset i kanë më të vogla. Për të zhvilluar hulumtime të nivelit të lartë dhe për të marrë informata të krejtë industrisë se kush blen, çka, ku, pastaj moshën, gjininë, interesat, kur blen etj. këto janë hulumtime të kushtueshme e që marrin kohë.

Duhet bërë analiza të të dhënave, të llojit pse ato konvertohen në shitje dhe cilat kanale të planit duhet t’i shfrytëzojmë për të optimizuar ROI-në (kthimin ne investim).

 

Blerjet nga pajiset mobile i kanë tejkaluar blerjet nga ato të quajtura “Desktop”, kështu që duhet t’i jepet rëndësi e veçantë zhvillimit të platformës së dedikuar për konsumatorët që vijnë nga telefonat e zgjuar. Më herët është bërë adaptimi i versionit desktop për versionin mobile, e tani duhet të dedikohet posaçërisht version mobile që eksperienca e blerjes të jetë e lehtë, e thjesht, atraktive, e që ta ruajë angazhimin e konsumatorit. Sepse, 90 për qind të kohës – sipas statistikave – njerëzit kalojnë në pajisje mobile me mesataren e shfletimit deri në 150 here në ditë të faqeve të ndryshme në internet. Me këtë angazhim në pajisjet e zgjuara mund ta imagjinoni se çka është e mundur të bëni në e-commerce duke targetuar shfrytëzuesit e pajisjeve mobile.

Kur është fjala te marketingu, ai duhet fokusuar më tepër në kanalet online, në portalet online dhe në rrjetet sociale – për shkak të mundësisë së targetimit të konsumatorëve sipas gjinisë, moshës, interesave, shprehive etj.

Herët a vonë është e pashmangshme që shumica e dyqaneve do të jenë të pranishme me produktet dhe shërbimet e tyre onine, duke hapur dyqanet e tyre apo duke ju bashkangjitur ndonjë platformë të madhe me inkuadrime të dyqani të tyre brenda saj.

Nëse keni ndonjë pyetje mund të më kontaktoni në :

Email: denis.gafuri@smardonline.com

Twitter: @DenisGafuri

LinkedIn: https://www.linkedin.com/in/denis-gafuri-1a174334

Facebook: https://www.facebook.com/denis.gafuri

Publikuar ne:

http://telegrafi.com/mjeshtria-e-shitjes-7-ndertimi-nje-shitoreje-online/